Rreth
NESH

Special Olympics Albania është një organizatë që synon të ofrojë trajnime dhe gara sportive gjatë gjithë vitit në një larmi sportesh të tipit olimpik për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara intelektuale. Përmes sporteve, njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale u jepen mundësi të zhvillojnë aftësi fizike, të krijojnë eksperienca, të përmirësojnë shëndetin e tyre dhe të integrohen me partnerët, familjet e tyre dhe komunitetin.

Special Olympics është organizata më e madhe sportive në botë për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara intelektuale, duke siguruar trajnime dhe aktivitete gjatë gjithë vitit për 5 milion pjesëmarrës dhe partnerë të Unifikuar Sport në 193 vende. Gara Olimpike Speciale mbahen çdo ditë, në të gjithë botën – përfshirë gara lokale, kombëtare dhe rajonale, duke numëruar më shumë se 100,000 evente në vit. Si pjesë e lëvizjes Olimpike Speciale, SOA operon në mënyrë rigoroze nën udhëzimet e Olimpikut Special Ndërkombëtar, të unifikuar midis të gjitha vendeve pjesëmarrëse për të siguruar një standard të lartë të aktiviteteve / trajnimeve.

Atletë

Partnerë

AKI

Personat me aftësi të kufizuara intelektuale që luajnë sporte.
 
Personat neurotipikë që luajnë sëbashku me atletët.
 
Aftësi e Kufizuar Intelektuale

Roland Hysi

Drejtor Kombëtar

Roland Hysi është Drejtori Kombëtar i Special Olympics Albania që nga Prilli i vitit 2017. Ai e ka vënë në funksion mbëshetës ndaj SOA të qenurit figurë publike prej rreth 25 vitesh. Që prej fillimit e në  vijim, përpjekjet vijojnë për të siguruar mbështetje të qëndrueshme  e të vazhdueshme nga të gjithë aktorët,  si nga ana e pushtetit qendror/vendor, po ashtu edhe atij privat, por edhe individual.

Vullnetarizmi  dhe mbështetja ndaj kauzave të ndryshme sociale janë karakteristika të cilat Hysi i promovon me anë të veprave apo aktiviteteve të ndryshme si brenda, ashtu edhe jashtë organizatës, me shpresën që edhe të tjerë individë apo institucione do të bashkohen në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe përmirësimin e kushteve të tyre jetesës, si edhe bashkësisë së prindërve dhe të afërmve të tyre.

Hysi ka eksperiencë pune prej mëse 12 vitesh në fushën e telekomunikacionit dhe konkretisht në atë pranë disa kompanive celulare, rreth 3-vjeçare (e në vijim) në atë të sportit pranë Bashkisë Tiranë, mëse 25 vite (e në vijim) në atë të artit, muzikës, turizmit dhe televizionit, mëse 25 vite (e në vijim) karrierë individuale në fitness dhe personal training.

Hysi ka kryer studimet e larta dhe është diplomuar në Drejtësi (master’s degree), zotëron edhe diplomë si Punonjës Social. Ai ka lindur, jeton dhe punon në Tiranë (Albania) së bashku me gruan dhe djalin e tij.

Landi

Sara Bala

Drejtor Sportiv

Sara Bala drejton programin sportiv të Special Olympics Albania prej vitit 2020, pozicion në të cilin u emërua në moshën 24-vjeçare, duke e bërë atë drejtoreshën më të re sportive të Special Olympics për Rajonin Evropë Euroazi. Sara ka përfunduar studimet për Administrim dhe Analizë të Politikave Sociale dhe të Arsimit. Sara prej 8 vitesh punon vullnetarisht me fëmijët me AKI dhe punon në aktivitete sportive, kampe sportive dhe programe lojërash aktive për fëmijët e moshës 3-12 vjeç. Krahas këtyre aktiviteteve ajo ka qenë e angazhuar në programe për të rinjtë të cilët punojnë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale me fokus në sport, shëndet dhe advokim për komunitetin. Disa nga këto projekte janë nominuar si iniciativat më novatore dhe janë përzgjedhur në short-list në Zero Project Initiatives (në shkallë globale).

Në vitin 2022, Sara ka qenë pjesë e grupeve të ekspertëve duke hartuar 3 Kurrikula të Edukimit Fizik për Nxënësit me Aftësi të Kufizuara, të disponueshme për mësuesit në Nivel Kombëtar. Ajo aktualisht është koordinatore #BeActive në nivel kombëtar për sportet për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, pozicion i mbajtur prej 2 viteve të fundit si eksperte e jashtme e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke raportuar për Komisionin Evropian. Gjatë përvojës së saj me Special Olympics Albania ajo ka bashkë-menaxhuar projekte me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Komiteti Olimpik Kombëtar, Bashkinë e Tiranës, UNFPA, PNUD, UNDP, Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri dhe partnerë të tjerë vendas dhe të huaj. Ndër të tjera Sara ka marrë pjesë në panele ekspertësh vendas e të huaj ku mund të veçohet fjala e mbajtur para Panelit të OKB-së në 2022 për “Rolin e jetës sportive dhe kulturore në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara post COVID-19” përkrah Drejtorit Kombëtar.

Sara

Gerald Osmani

President Nderi

Gerald Osmani, i lindur më 9 shtator 1990, është President Nderi i Special Olympics Albania, duke marrë këtë detyrë në Janar 2024. Ai është një udhëheqës i përkushtuar për përparimin e të drejtave dhe mundësive për individët me aftësi të kufizuara intelektuale në Shqipëri.

Pasioni i tij për basketbollin e çoi atë të ndjekë për një kohë të shkurtër karrierën si lojtar profesionist, me ekipin e Valbonës dhe Kamzës para se të kalonte në rolet e trajnerit dhe organizatorit.

Rrugëtimi në organizimin sportiv dhe koordinimin nisi herët, ku në moshën 24 vjeçare ai themeloi shoqatën e basketbollit “Galaktikët” në Qershor 2015, duke u fokusuar në ekipet e moshave nën 18 vjeç. Gjithashtu, shërbeu si President i parë i shoqatës deri në qershor 2020 dhe aktualisht është i përkushtuar pjesërisht si koordinator dhe trajner basketbolli për fëmijë nën 15 vjeç, djem dhe vajza.

Në mars 2018, kur ai u bashkua me Federatën Shqiptare të Basketbollit si Drejtor i Licencimit, Statistikave, Komunikimit dhe Dizajnit Grafik, drejtoi dhe vazhdon misionin e tij në iniciativa të ndryshme për të promovuar basketbollin dhe për të përmirësuar aktivitetet e Federatës.

Geraldi ndoqi studimet si Inxhinier Ndërtimi në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë nga shtatori 2009 deri në qershor 2012, por pavarësisht se nuk i përfundoi të gjitha studimet e nevojshme për të fituar statusin e Inxhinierit të Ndërtimit, studimet e ndihmuan atë të jetë i mirë organizuar dhe të planifikojë në detaje të gjitha projektet e tij sportive.

Në angazhimin e tij me Special Olympics Albania që nga qershori 2017, Geraldi ka kontribuar si vullnetar, trajner sportiv, instruktor dhe koordinator për shumë aktivitete deri sa mori postin e Presidentit në vitin 2024. Përkushtimi i tij për të promovuar përfshirjen dhe fuqizimin përmes sportit vazhdon të çojë në ndryshime pozitive brenda organizatës dhe më tej.

 

Gerald Osmani është i martuar dhe jeton në Tiranë, Shqipëri, ku mbetet i përkushtuar për misionin e tij për të përfaqësuar të drejtat dhe mirëqenien e individëve me aftësi të kufizuara intelektuale.

Endri Bushati

President 2017 - 2023

Endri Bushati ka qenë President i Special Olympics Albania prej muajit Prill të vitit 2017, ku u angazhua në rithemelimin e Organizatës në Shqipëri. Deri në Tetor të vitit 2023 ai ka mbajtur pozicionin e Kryetarit të Bordit, i cili është përgjegjës për udhëheqjen strategjike, menaxhimin operacional, mbledhjen e fondeve dhe avokimin për Olimpikun Special në Shqipëri. Funksioni i tij kryesor ka qenë të drejtojë Programin sipas standardeve, politikave dhe procedurave të përcaktuara nga Special Olympics International dhe Bordi i Drejtorëve të Olimpikut Special në Shqipëri në fushën e zhvillimit, programeve, planifikimit dhe çështjeve që prekin vijimësinë.

 

Endri në profesion është ekspert financiar dhe institucional, zotërues i diplomës Master i Shkencave në Politikat dhe Menaxhim të Shërbimit Publik dhe Bachelor i Shkencave në Ekonomi dhe Financë me mbi 12 vjet punë në administratën publike, qeverisjen vendore dhe projekte të donatorëve të huaj. Disa nga proceset e punës që ai udhëheq janë organizimi, administrimi dhe kontrolli i brendshëm i projekteve, përfshirë sistemet e informacionit, hartimi i buxhetit të projektit, hartimi i pasqyrave/raporteve financiare të projektit në rolin e Menaxherit dhe/ose Koordinatorit të Projektit. Për më tepër, Endri ka eksperienacë edhe si pedagog në një Universitet Privat, duke dhënë mësim lëndë të “Menaxhimit të Projektit”.

Prill 2017

Special Olympics

Albania

 është akredituar nga Special Olympics Inc. dhe vazhdon misionin e kësaj lëvizjeje botërore që nga Prilli i vitit 2017.

Shtyllat e zhvillimit të organizatës përcaktohen nga Special Olympics Internacional, të cilat SOA i zhvillon me bazë projektesh, në mungesë të një fondi vjetor të qëndrueshëm e të vazhdueshëm që do të rriste kapacitetet e organizatës në afatgjatë. SOA ka kërkuar vazhdimisht mbështetje institucionale me qëllim përfitimin nga fondi grant transfertë, fond i cili do të ndihmojë në planin strategjik vjetor të organizatës dhe shtrirjen e aktiviteteve në të gjithë vendin. Kjo kërkesë mund të realizohet me përfshirjen e organizatës si shoqatë sportiv me mision të veçantë në Ligjin e Sportit, proces i cili për SOA ka nisur me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Grupi kryesor i ekspertëve të cilët angazhohen me bazë projektesh në organizatë është i përbërë nga 10 persona me profil administrimi dhe sportiv. 

Për vitin 2022 rrjeti i organizatës, ndërtuar përmes projekteve është:

  •          30 Shkolla tipike gjithëpërfshirëse në 3 rajone (Shkodër, Tiranë, Fier)
  •          6 Shkolla Speciale (Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë)
  •          10 partnerë nga klube e shoqata sportive (shumica në Tiranë)
  •          5 partnerë nga Rajoni (Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina)

Të cilët kanë angazhuar një total prej 348 atletësh (persona me aftësi të kufizuara intelektuale që bëjnë aktivitet fizik) dhe 479 partnerësh (moshatarë të atletëve që luajnë së bashku në një ekip).

Për vitin 2023 rrjeti i organizatës është:

  •          6 Shkolla Speciale (Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë)
  •          10 partnerë nga klube e shoqata sportive (shumica në Tiranë)
  •          4 partnerë nga Rajoni (Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina)
  •          20 trajnerë, vullnetarë, individë – partnerë në mision e vizion.

Të cilët kanë angazhuar një total prej 205 atletësh dhe 80 partnerësh.